Një vit i ri shkollor nis gjithmonë me diçka të përbashkët për familjen dhe shkollën: dëshirën që fëmija të jetë mirë.
Ai do të mësojë, do të rritet, do të krijojë miqësi, do të përballet me sfida, do të gabojë e do të provojë përsëri. Në gjithë këtë rrugëtim, fëmija ka nevojë të ndiejë se njerëzit që e rrethojnë nuk janë në anë të ndryshme, por në të njëjtën anë.
Kjo është ajo që e bën besimin mes familjes dhe shkollës kaq të rëndësishëm.
Besimi nuk do të thotë të mendojmë gjithmonë njësoj. Do të thotë të dimë se edhe kur kemi pyetje, shqetësime apo këndvështrime të ndryshme, mund të flasim me njëri-tjetrin me mirëkuptim dhe respekt.
Sepse mënyra si familja dhe shkolla komunikojnë me njëra-tjetrën, ndihet edhe nga fëmija.
Kur ai e ndien këtë siguri, ka më shumë hapësirë të flasë, të kërkojë ndihmë, të pranojë gabimet dhe të përballet me vështirësitë pa frikën se do të duhet të zgjedhë mes dy botëve të tij më të rëndësishme.
Ndoshta ky është një nga dhuratat më të bukura që mund t’i bëjmë në fillim të një viti të ri: t’i tregojmë se familja dhe shkolla janë bashkë në anën e tij.
Ju uroj një vit të mbarë shkollor, me besim e mirëkuptim.
Përzemërsisht,
Sofiona Lakuriqi, Psikologe shkollore





