Apliko tani

AL / EN

Postimet e fundit

Mirëseardhje krenarie për suksesin e MeDit

Në një atmosferë të mbushur me emocion dhe entuziazëm, komuniteti i shkollës mirëpriti nxënëset e kompanisë së nxënësve MeDit, fituese në Junior Achievement Marketplace 2026.

Takimi i Mirënjohjes GEA 2026 – Një mbrëmje kushtuar njerëzve që ndërtojnë të ardhmen

Më 30 qershor 2026, familja GEA u mblodh në ambientet e Shkollës TES për një nga momentet më domethënëse të vitit: Takimin e Mirënjohjes GEA 2026, një mbrëmje dedikuar njerëzve që, me përkushtim, profesionalizëm dhe pasion, i japin kuptim çdo dite të vitit shkollor.

Pas një viti të mbushur me sfida, projekte, arritje dhe emocione, ky takim ishte një ndalesë për të reflektuar mbi atë që qëndron në themel të çdo suksesi: ekipi. Mësuesit, edukatorët, drejtuesit, stafi administrativ dhe ai operacional u bënë protagonistët e një mbrëmjeje ku mirënjohja u shpreh përmes fjalëve, duartrokitjeve dhe vlerësimeve.

Programi u hap me fjalët përshëndetëse të Administratores së kompanisë GEA, znj. Arjola Hoxha, të Drejtoreshës Ekzekutive të Arsimit, znj. Suada Aga, si dhe të Drejtorit Ekzekutiv të Fondacionit GEF, Prof. Flamur Gjymishka, të cilët ndanë mesazhe frymëzuese mbi rëndësinë e edukimit, bashkëpunimit dhe misionit që bashkon komunitetin tonë.

Një moment i veçantë artistik erdhi përmes interpretimit të poezisë “Mbi Fëmijët” nga Khalil Gibran, sjellë me ndjeshmëri nga mësuesja Blerta Laçi, duke rikujtuar përgjegjësinë dhe privilegjin që mbart puna me brezat e rinj.

Në vijim, të pranishmit ndoqën videon e projektit të zgjerimit të Kompleksit Arsimor GEA me godina të reja, një vizion i rëndësishëm zhvillimi që synon të sjellë standarde edhe më të larta në infrastrukturën dhe cilësinë arsimore. Projekti parashikon hapësira moderne mësimore dhe një kurrikulë ndërkombëtare, duke reflektuar angazhimin e institucionit për të ardhmen e edukimit dhe për krijimin e mundësive të reja për nxënësit.

Kulmi i mbrëmjes ishte ceremonia e ndarjes së çmimeve, ku u vlerësuan kolegë që kanë spikatur për profesionalizmin, përkushtimin dhe ndikimin e tyre pozitiv në komunitetin tonë arsimor. U ndanë çmimet “Mësuesi i Vitit” për Shkollën 9-vjeçare TES dhe Gjimnazin TES, “Edukatorja e Vitit” për Bletëzat 1 dhe Bletëzat 3, “Udhëheqësi i Talenteve”, si dhe Çmimi GEA 2026, i cili i kushtohet një personi që gjatë këtij viti ka mishëruar në mënyrë të veçantë vlerat e GEA-s: integritetin, profesionalizmin, bashkëpunimin, përkushtimin dhe ndikimin pozitiv në komunitetin tonë.

Atmosfera u pasurua edhe nga interpretimi muzikor i mësueses Anjeza Marku, e cila solli emocione të veçanta me këngën “Me lule t’bukra”, duke i dhënë mbrëmjes një dimension artistik dhe njerëzor.

Takimi i Mirënjohjes nuk është thjesht një ceremoni vlerësimi, por një traditë që pasqyron kulturën organizative të GEA-s, ku puna, bashkëpunimi, integriteti dhe përkushtimi vlerësohen dhe festohen çdo vit. Sepse besojmë se pas çdo nxënësi që rritet me sukses, qëndron një ekip njerëzish që punojnë me zemër, çdo ditë.

Në mbyllje të aktivitetit, të gjithë të pranishmit ndanë momente të ngrohta gjatë koktejit të mirënjohjes, duke festuar jo vetëm fundin e një viti të suksesshëm shkollor, por edhe forcën e një komuniteti që vazhdon të ndërtojë së bashku të ardhmen.

Faleminderit çdo anëtari të familjes GEA për kontributin, besimin dhe përkushtimin. Ju jeni zemra e institucionit tonë dhe arsyeja pse çdo vit arrijmë të krijojmë më shumë mundësi, më shumë suksese dhe më shumë histori frymëzuese.