Apliko tani

AL / EN

Postimet e fundit

Mirë se u ktheve, Dean!

Shkolla “TES” dhe shokët e tij e pritën me krenari Dean Lashin, nxënësin tonë që u rendit në vendin e dytë në “Hippo World Finals”

Ylljet Aliçka mes gjimnazistëve të “TES”: Një takim mes letërsisë, filozofisë dhe reflektimit

Muaji i Letërsisë në Gjimnazi “TES” vijon me takime që e kthejnë leximin në dialog, mendimin në reflektim dhe letërsinë në një mënyrë për të kuptuar më thellë botën dhe njeriun.

Vjeshtë, libra, romancë, filozofi, ngrohtësi dhe miqësi. Në këtë atmosferë, gjimnazistët e “TES” mirëpritën shkrimtarin Ylljet Aliçka në një takim të veçantë, ku letërsia u bë pikënisja e një bisede të hapur mbi veprat e tij dhe temat që ato trajtojnë.

Përmes analizave mbi romanet dhe tregimet e autorit, nxënësit ndanë këndvështrimet, pyetjet dhe reflektimet e tyre, duke u ndalur te tema të rëndësishme si liria, diktatura, dashuria, emigrimi, bukuria e jetës dhe sfidat e saj. Diskutimi u zgjerua edhe drejt qenies njerëzore, me gjithë kompleksitetin, dilemat dhe dimensionet që e bëjnë atë një subjekt të pashtershëm të letërsisë.

Takimi krijoi hapësirë për mendim kritik, interpretim dhe shkëmbim idesh, duke u dhënë nxënësve mundësinë të shohin përtej fjalëve të shkruara dhe të zbulojnë kuptimet e shumëfishta që fshihen pas personazheve, ngjarjeve dhe situatave letrare.

Kur letërsia ndërthuret me filozofinë, kinematografinë dhe muzikën, krijohet një atmosferë e veçantë, ku arti bëhet urë lidhëse mes përvojave, brezave dhe mënyrave të ndryshme të të menduarit. Mbi të gjitha, këto takime ushqejnë dashurinë për të bukurën, kureshtjen intelektuale dhe dëshirën për ta parë jetën me një vështrim më të thellë.

Muaji i Letërsisë në “TES” është një ftesë për të lexuar, për të pyetur, për të reflektuar dhe për të zbuluar se letërsia nuk përfundon në faqen e fundit të një libri. Ajo vazhdon në çdo bisedë që na nxit të mendojmë, të ndiejmë dhe të kuptojmë më shumë.